Memushaj do të luaj në Serinë A

10/06/2016 00:00

Një tjetër futbollist i kombëtares shqiptare do të luaj këtë sezon në Serinë A. Do të jetë pikërisht Ledian Memushaj, i cili i është bashkuar Shqipërisë për Euro 2016. Por mungesa e tij nuk e ka penguar ekipin e Pescaras që të bëhet skuadra e 20-të që do të marrë pjesën në Serinë A sezonin e ardhshëm.

Skuadra e qytetit buzë Adriatikut barazoi 1-1 në finalen e dytë Play Off ndaj Trapanit dhe falë suksesit 2-0 në shtëpi në takimin e parë siguroi ngjitjen në elitën e futbollit italian.

Edhe pa Ledian Memushajn, formacioni i Massimo Odos arrite të shmangte humbjen në Trapani, në një sfidë që u shoqërua me tension gjatë lojës.

Trapani e nisi vrullshëm takimin, teksa që në minutën e 5 Citro zhbllokoi rezultatin.

Reagimi i Pescarës ishte i menjëhershëm, por goli i barazimit do të vinte në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 57-të me Verre, që u tregua fantastik me një goditje nga një distancë e largët, pasi nuhati pozicionimin e gabuar të portierit.

Ndëshkimi me karton të kuq i Scognamiglios në të 64-rën i dha goditjen përfundimtare Trapanit, që e pati të pamundur për të shënuar edhe dy gola të tjerë për ngjitjen në Serinë A.

Top Channel