Kosova, në grup me Kroacinë për “Rusi 2018”. Asnjëherë me Serbinë e Bosnjen

09/06/2016 00:00

Ashtu siç pritej dhe siç e parashikoi Top Channel edhe në një lajm të pak ditëve më parë, Kosova është përfshirë në grupin I të kualifikueseve për Botërorin e Rusisë të vitit 2018.

Duke sjellë në kujtesë analizën e kaluar, dihej se Kosova pritej të vendosej në njërin prej grupeve H ose I të kualifikueseve të zonës së Europës, pasi këto dy grupe ishin të vetmet me nga 5 ekipe pjesëmarrëse, ndërkohë që të gjithë të tjerët kishin nga 6 të tillë.

Por, duke qenë se vendet pjesëmarrëse në grupin H, pikërisht Bosnje-Hercegovina, Greqia dhe Qiproja, ende nuk e kanë njohur Kosovën si një shtet sovran, pritej që kombëtarja kosovare e futbollit të futej në grupin I, aty ku gjendet edhe Kroacia, ndërkohë që Gjibraltari do të vendosej në grupin H.

Dhe kështu ndodhi. Pas vendimit të Kongresit të FIFA-s në maj, që konfirmoi pranimin e Kosovës dhe Gjibraltarit si anëtaret e 210 dhe 211 respektivisht të organizmit botëror të futbollit, të dyja këto kombëtare prisnin që t’u përcaktohej renditja se në cilët grupe do të merrnin pjesë në kualifikueset e “Rusi 2018”.

Paneli emergjent i UEFA-s vendosi këtë të enjte që Kosova t’u bashkohej Kroacisë, Islandës, Ukrainës, Turqisë dhe Finlandës në grupin I, ndërsa Gjibraltari do t’u bashkohet Belgjikës, Bosnje-Hercegovinës, Greqisë, Estonisë dhe Qipros në grupin H.

Ky panel i UEFA-s vendosi gjithashtu që Bosnja dhe Serbia të mos luajnë asnjëherë ndeshje ndaj Kosovës për shkaqe sigurie.

Top Channel