Policia shqiptare në “Euro 2016”, nis plani antiterror

09/06/2016 00:00

Ashtu si kombëtarja e futbollit, me një vend nderi në vitrinën kontinentale, edhe Policia shqiptare ka gjetur vend mes homologëve për koordinimin e një plani antiterror për “Euro 2016”, që zhvillohet në Francë mes qershorit dhe korrikut.

Në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Koordinimit Policor për “Euro 2016” u zhvillua një takim i oficerëve të policisë të vendeve që përfaqësohen në finalet e Europianit.

Takimin e hapi ministri i Brendshëm francez, Bernard Caseneuve, që theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, masat e marra për parandalimin e akteve terroriste dhe dhunës në sport, si dhe u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Më pas, drejtuesit e lartë të policisë franceze bënë një panoramë të situatës aktuale dhe ndarjen e detyrave, ku ra në sy dhe simboli shqiptar dhe përfaqësuesit nga vendi ynë.

Çdo ekip policor është ndarë në dy pjesë. Dy oficerë pranë Qendrës “CCPI” të koordinimit dhe monitorimit, ndërsa 6 të tjerët do të nisen me shërbim pranë qyteteve ku zhvillohen ndeshjet, ku do të patrullojnë së bashku me policinë franceze, duke vendosur ura bashkëpunimi ndërmjet tifozëve dhe policisë në atë zonë.

Në fokusin e planit të sigurisë kanë qenë zonat e grumbullimeve masive, veçanërisht 10 “zonat e tifozëve” të vendosura në qytetet ku do të zhvilohhen ndeshjet e fazës finale të “Euro 2016”.

Top Channel