Ceremonia hapëse e “Euro2016”, një mijë persona për shfaqjen 13-minutëshe

09/06/2016 00:00

Hapja e kampionatit europian të futbollit do të jetë një magji më vete. Edhe pse është një shfaqje që do të zgjasë jo më shumë se 13 minuta, për të ka punuar një staf prej 1.000 personash.

Shfaqja është një bashkëpunim i produksionit italian “Filmmaster Events” dhe kompanisë franko-kanadeze “Circo de Bakuza”, të cilëve u janë dashur më shumë se dy vite bashkëpunim për të arritur në një performancë të tillë.

Ngjarja do të jetë një prezantim i kulturës franceze, që përfshin këtu valltarët e famshëm “Cancan”, muzikantë, korin e të rinjve, si dhe DJ-in e mirënjohur ndërkombëtarisht David Guetta.

24 flamujt e ekipeve që luajnë në kampionat do të prezantohen me koreografi të balerinave, të cilat mbajnë veshur kostume shumëngjyrëshe.

Ndërsa David Guetta ka kompozuar edhe këngën zyrtare të “Euro 2016”. DJ i famshëm do të performojë së bashku me këngëtaren suedeze, Zara Larsson, dhe reperin amerikan Will I Am.

“Me siguri do të jetë një festë e madhe”, thotë David Guetta.

Top Channel