Pas masakrës, Izraeli mbyll kufirin për palestinezët

09/06/2016 00:00

Pak orë pasi dy persona të armatosur mësynë një kafene të hapur të Tel Avivit e vranë 4 vetë, Izraeli iu pezulloi të drejtën e hyrjes 83 mijë palestinezëve. Ishin dy kushërinj nga Bregu i pushtuar Perëndimor, ata që hapën zjarr mbi klientët e kompleksit “Sarona”.

Të rinjtë, që vinin nga fshati palestinez i Yattas, pranë Hebronit, janë arrestuar e po merren në pyetje nga policia. Grupi islamik “Hamas” doli shumë shpejt me një deklaratë, ku e përshëndeste sulmin si “akt heroik”, por sqaronte se nuk është vepër e tij. Autoriteti Palestinez me seli në Bregun Perëndimor nuk ka bërë asnjë koment deri tani mbi incidentin.

Dy gra të moshës 32 dhe 39 vjeç dhe dy burra 42 dhe 58 vjeç ishin viktimat e ngjarjes së rëndë. Plot 16 persona të tjerë mbetën të plagosur. Babai i njërit prej agresorëve u shpreh i befasuar nga lajmi i përfshirjes së të birit.

“Që të jem i sinqertë, ishte diçka e papritur për mua. Nuk e di çfarë e shtyu ta bënte një gjë të tillë, nuk e kam idenë se kush e përfshiu në këtë situate. Ai është djalë punëtor, nuk ka prirje politike. Jam i habitur si të gjithë të tjerët”, tha Ahmad Makhamreh, babai i njërit prej agresorëve.

Izraelitët vetë shprehen të tronditur nga sulmi.

“Është e tmerrshme ajo që ndodhi këtu e është njëkohësisht e trishtueshme, pasi ndonjëherë jetojmë me iluzionin se gjërat më në fund po shkojnë më mirë”, tha Eric Hashdan, banor i Jeruzalemit.

Ka pasur një sërë episodesh dhune nga palestinezët ndaj izraelitëve vitin e kaluar, që përfshinin të shtëna, sulme me thika e përplasje makinash mbi këmbësorët, por niveli i tyre javët e fundit kishte pësuar rënie.

Ndërkohë, pranë Ambasadës izraelite në Londër u krye shpërthimi i kontrolluar i një makine të dyshimtë. Policia bllokoi të gjithë zonën, e mbylli pjesërisht njërën prej rrugëve më të ngarkuara të kryeqytetit britanik, atë “Kensington”.

Top Channel