Falluxha, mision i vështirë. Terroristët rezistojnë, analistët skeptikë

09/06/2016 00:00

Forcat irakiane kanë shënuar progres kundër ISIS-it në Falluxhën e kontrolluar prej grupit të dhunshëm islamik, një nga fortesat e fundit të tij në vend.

Ish-bastioni i rebelimit sunit gjatë pushtimit të Irakut, e më vonë edhe ndaj qeverisë shiite në Bagdad, u rrethua pak kohë më parë nga forcat e ushtrisë, të cilat u pozicionuan në rrethinat e tij. Luftëtarët e ISIS-it e ngritën në janar të vitit 2014 flamurin e tyre në Falluxhën e ndodhur vetëm 50 km larg kryeqytetit, e disa muaj më vonë shpallën nga Mosuli krijimin e kalifatit islamik.

Por edhe pse ofensiva e trupave qeveritare në Irak, e nisur më 23 maj me mbështetjen e milicisë shiite dhe forcat e mobilizuara popullore, ka nisur të japë frytet e saj, ekspertët vazhdojnë t’i shohin me një lloj skepticizmi përpjekjet për të luftuar ekstremizmin brenda një kohe të shkurtër.

“Ekstremistët kanë vullnetin të vdesin si martirë. Forcat irakiane nga ana tjetër nuk kanë një doktrinë ushtarake, sidomos në luftrat e zonave arabe”, tha Musa Qallab, analist politik nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Beteja në Siri zhvillohet në rrethana të ngjashme. Shteti Islamik atje do të përpiqet padyshim ta mbrojë me çdo kusht fortesën e tij, Raqqanë.

“Vetëm kur të krijohet një qeveri qëndrore, me të cilën të pajtohen të gjithe fraksionet, do të ketë realisht çrrënjosje të ekstremizmit në Irak. E njëjta gjë vlen dhe për Sirinë. Grupet ekstremiste atje do ta humbin mbështetjen e njerëzve në zonat e pushtuara, atëherë kur do të arrihet pajtimi mes qeverisë dhe opozitës”, tha Mohammed Al-Ghëainem, analist politik nga Arabia Saudite.

Sipas ekspertëve, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera po përpiqen të shtrijnë influencën e tyre në Lindjen e Mesme për periudhën postekstremizmit, ndërsa Arabia Saudite e Irani do të donin shumë që sektet fetare të kishin ndikim më të madh në Siri dhe në Irak. Nisur nga kjo analizë, logjika sipas tyre e dikton që trazirat në rajon të zgjasin edhe në të ardhmen.

Top Channel