Pamjet filmike të një gruaje në Florida, e cila lufton për të “shkulur” të bijën 13-vjeçare nga duart e një mashkulli që tenton ta rrëmbejë, janë përhapur me shpejtësi në internet.

Videon e marrë nga kamerat e sigurisë së një supermarketi, Zyra e Sherifit të Kontesë Citrus e hodhi në faqen e saj të Facebook-ut, ku mori 1,5 milionë klikime e u shpërnda 24.000 herë.

Gruaja shihet duke e qëlluar pa pushim 30-vjeçarin Craig Bonello, i cili po e tërhiqte vajzën zvarrë e në fund u detyrua ta linte të lirë. Ai vrapoi të largohej, por u kap në parkingun e supermaketit nga zv/sherifi Jonathan Behnen, i cili në ato momente ishte jashtë shërbimit.

“Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë gjatë 10 vitesh pune në terren. Ai vërtet deshi ta rrëmbente fëmijën në sytë e të gjithë njerëzve të tjerë në dyqan”, u shpreh një nga drejtuesit e policisë lokale, Craig Callahan, në një deklaratë të lëshuar pas incidentit.

Nënë e bijë kanë dalë nga ngjarja të palënduara, ndërsa Bonello përballet me akuzat e abuzimit dhe tentativës për rrëmbim e do të dalë përpara gjykatës në fund të qershorit.

Top Channel