Shqipëria apo Zvicra, fanellat kuqezi shiten masivisht

08/06/2016 00:00

Në pritje të asaj se ccfarë do të na rezervojë fusha e lojës më 11 qershor në stadiumin e Lens, të paktën në shitjet e fanellave Shqipëria është më lart se Zvicra, pikërisht sipas sondazheve në vendin helvetik.

Gazetat zvicerane raportuan më herët këtë javë se bluzat kuqezi po shiten si panine në konfederatën zvicerane dhe tashmë edhe sondazhet e konfirmojnë se 3 versionet e fanellave tona janë më të pëlqyera dhe rivalizojnë me ato vendaset.

Në një sondazh të gazetës “Blick”, me mbi 18 mijë votues, natyrshëm në vendin e parë ka dalë fanella e kuqe me kryqin e bardhë, ndërsa në vendin e dytë ndodhet Shqipëria me rreth një mijë vota më pak.

Së treti sipas këtij sondazhi është Italia, ndërsa Rumania është në vendin e fundit me 112 vota mes të gjitha kombëtareve finaliste në Euro 2016.

Zviceranët ditë më parë ishin të alarmuar për numrin e fanellave kuqezi që po shiten në këtë shtet, madje më shumë se të tyret. Në shitjet masive të produkteve me logon e Shqipërisë, kontribuojnë natyrshëm mijëra shtetas kosovarë që jetojnë prej vitesh në konfederatën helvetike.

Shqipëria për herë të parë po merr pjesë në një Kampionat Europian, dhe ndeshjen e parë do ta ketë ndaj Zvicrës më 11 qershor në Lens.

Top Channel