Abrashi i dyzuar mes emocioneve

08/06/2016 00:00

I lindur më 27 mars të vitit 1990 në Bischofszell të Zvicrës, Amir Abrashi do t’i jetë përjetë mirënjohës “helvetikëve” se inspiruan hapat e para të një karriere të spikatur në futboll. Por në diskutimin për kombëtaren në thirrjen e parë që mori, mesfushori energjik i Freiburg nuk pati dyshime për të zgjedhur Shqipërinë.

Edhe pse luajti me skuadrat e moshave të Zvicrës që prej 2007, madje u aktivizua dhe në Lojërat Olimpike me “helvetikët”, Abrashi rrëfeu për gazetën “Neue Zurcher Zeitung”, se është krenar për çfarë ka arritur.
 
Amir Abrashi: E pres me padurim ndeshjen me Zvicrën. Xherdan Shaqiri është një mik i mirë dhe takohemi shpesh. Unë njoh gjithashtu shumë nga kundërshtarët tanë. Kam luajtur për Zvicrën deri në U-21, pastaj nuk më ftuan më. Trajneri i atëhershëm, Ottmar Hitzfeld, më këshilloi që të prisja përfundimin e Kupës së Botës, pas të cilës do të kishte ndryshime në kombëtare. Por unë jam një person që i merr gjërat si t’i vijnë. Me Shqipërinë më shfaqej mundësia të ndërtoja diçka. Trajneri Gianni de Biasi ishte i aftë të më bindte për projektin dhe jam shumë i lumtur që vendosa të shkoj me Shqipërinë. Askush nuk e priste të kualifikoheshim. Kemi treguar se Shqipëria është zhvilluar.

Mesfushori shtatshkurtër tregon se viziton vendilindjen e prindërve, Gjakovën, dhe se i pëlqen shumë, ndërsa në Shqipëri ka një simpati për qytetin e Sarandës. Pavarësisht kësaj, ai thotë se dëshiron që të jetojë gjithmonë në Zvicër.

Amir Abrashi: Unë jam krenar që jam shqiptar, por gjithashtu krenar që kam lindur në Zvicër. Është e vështirë ta shpjegoj pasi kam dy shtëpi. Gjaku është shqiptar, por shtëpia është në Zvicër. Kosova është atdheu i prindërve të mi. Unë kam shkuar shpesh në qytetin e tyre të lindjes, në Gjakovë, dhe më pëlqen. Në Shqipëri shkoj në det, sidomos në Sarandë, një qytet shumë i bukur bregdetar. Megjithatë, unë nuk do të kthehesha të jetoja në Kosovë. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të jetosh në Zvicër, do të kthehem gjithmonë këtu. Zvicra më ka dhënë shumë, shkollimin, futbollin, do t’i jem gjithmonë mirënjohës.

Në rrëfimin e gjatë për gazetën zvicerane ai renditi disa detaje të jetës së tij të panjohur, që nga diplomimi në Winterthur si mekanik ndërtimi e deri te ndihma sociale që merrte familja prej 6 personash.

Amir Abrashi: Më mirë ndjehem sidomos në Winterthur. Atje u diplomova për mekanik ndërtimi dhe luajta te klubi me të njëjtin emër, ku takova shumë miq dhe njoha vende që më pëlqejnë. Që kur mbusha 15 vjeç, aty jeton familja ime. Më përpara unë jetoja në Bischofszell, ku jam lindur. Tre motrat e mia më të rritura kanë lindur në Kosovë. Në këtë shtëpi, babai im ishte inxhinier, punonte si programues në industrinë e metalit. Familjes tonë prej 6 personash nuk i ka munguar asnjëherë asgjë, edhe kur duhej të kalonim muajin me 4000 franga. Kjo duhet vlerësuar. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm mbanë. Kjo më tregoi se çfarë duhet të bësh për t’ia dalë mbanë. Këtë ambicie e kam prej kulturës shqiptare. Paralelisht, duhet edhe disiplinë dhe kjo vjen nga ana zvicerane. Të dyja bashkë me kanë çuar shumë larg.

Top Channel