Uliksi, një emër i frymëzuar nga një prej filmave epik që e bëri të famshëm Bekim Fehmiun, nuk ka trashëguar nga i ati vetëm zërin, por edhe potencën në interpretim. Në premierën e të martës në Teatrin Kombëtar, ai preku një skenë të cilën i ati nuk e preku dot kurrë.

“Jam shumë i lumtur që jam në Tiranë, në Teatrin Kombëtar dhe shpresoj që kjo të mos jetë hera e fundit”, tha Fehmiu.

Në një shfaqe më shumë serbisht se shqip, publiku mori kënaqësinë e një pjese të njohur mirë. Ky i Tiranës, ishte rrugëtimi më i fundit i shfaqjes.

“Ne patem një reagim të mrekullueshëm nga audienca. Por e njëjta ndodhi edhe në Prishtinë, në Beograd, në Sarajevë dhe në Zagreb”, vijoi Uliksi.

Shembullin më të mirë të Romeo dhe Zhulietës ai e kishte në shtëpi, më dy prindërit e tij. Por jo në formën e një tragjedie.

“Pavarësisht të gjithave prindërit e mij kurrë nuk u shqetësuan çfarë të tjetrët mendonin. Unë dhe gruaja ime po ashtu. Kur ka dashuri historia vazhdon”, tha ai.

Në rast se sot Bekim Fehmiu do të kishte zgjedhur një vend për të jetuar, ai nuk do të ishte ky rajon. Por sipas Uliksit, ai do të ndihej shumë krenar që biri i tij flet shqip në një rol.

“Mbase ka qenë e thënë të ndodhte kështu. Është në dorë të Zotit. Ja pra ku jam”, u shpreh Uliks Fehmiu.

Top Channel