Abrashi ka fikur telefonin: Me shokët e Zvicrës nuk flas prej 2 javësh

08/06/2016 00:00

Amir Abrashi ka mbyllur telefonin. Ai tha se nuk ka komunikuar me asnjërin prej miqve të tij në kombëtaren zvicerane, pasi të gjitha bisedat janë lënë pasi të mbyllet Europiani.

“Kemi komunikuar para dy javësh, por më pas jo. Ata po stërviten me Zvicrën ndërsa unë me Shqipërinë. Ato çfarë kemi për të biseduar i kemi lënë pas Europianit, pasi tani për tani jemi më mirë kështu, pa komunikuar”, tha Abrashi.

Mesfushori me origjinë nga Gjakova deklaroi dëmtimi në shpatull tashmë i përket së kalurës, ndërsa edhe gjendja e pjesës tjetër të skuadrës është shumë e mirë.

“Gjendjen fizike e kam shumë të mirë, dy javët e fundit jam stërvitur intensivisht dhe besoj se të gjithë do të jemi gati për të shtunën. Me shpatullën nuk kam asnjë problem”, tha ai.

I pyetur për atmosferën në prag të ndeshjes me Zvicrën, Abrashi tha se është shumë e mirë dhe se skuadra po kalon një periudhë shumë të mirë.

“Kemi dy javë bashkë dhe atmosfera është shumë e mirë. Çdo lojtar jep 100% në stërvitje dhe pas stërvitjes jemi të gjithë bashkë dhe mundohemi të kalojmë sa më mirë në kohën e lirë”, u shpreh mesfushori.

Abrashi thotë se Shqipëria i di shumë mirë pikate forta të Zvicrës, por kuqezinjtë nuk kanë frikë asnjë skuadër dhe se do të tentojnë të marrin rezultat pozitiv.

“Ata kanë lojtarë të fortë, por edhe ne si ekip jemi shumë të fortë. Kualiteti jonë është ekipi, kualiteti i Zvicrës është individual. Unë do jap 100 për qind në lojë”, tha Abrashi.

Top Channel