Meksikë, forcat e sigurisë akuzohen për krime kundër njerëzimit

08/06/2016 00:00

Forcat e sigurisë në Meksikë kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe janë përgjegjëse për vrasje e zhdukje masive gjatë luftës së gjatë të vendit me kartelet e drogës.

Kjo gjë thuhet në një raport prej 232 faqesh të iniciativës Open Society Justices dhe 5 organizatave të tjera për të drejtat e njeriut me bazë në Nju Jork. Lufta me kartelet e drogës ka rezultuar në një prej periudhave më të dhunshme të historisë moderne të vendit, me më shumë se 150 mijë të vrarë që prej 2006-s

Raporti përmend shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut, përfshirë ato që janë kryer nga pjesëtarët e kartelit të Zetës.

“Karteli i Zetës kualifikohet si një organizatë që kryen krime kundër njerëzimit pasi ka një strukturë hierarkike, kontrollon një territor të caktuar dhe ka kapacitetin për të sulmuar në mënyrë sistematike popullsinë civile”, thuhet në raport.

Raporti kritikon gjithashtu sistemin e dobët gjyqësor të Meksikës dhe i bën thirrje qeverisë të përmbushë detyrimet e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Organizatat citojnë varret masive dhe mijëra rastet e zhdukjeve, krahas vrasjeve të tilla si ekzekutimi i 22 të dyshuarve si pjesëtarë bande nga ushtria në Meksikën qendrore.

Një prej rasteve të fundit të abuzimeve që hodhi në sulm aktivistët ishte zhdukja e 43 studentëve në Iguala vitin e kaluar, që me shumë gjasa janë vrarë nga efektivë të korruptuar policie që bashkëpunonin me një bandë lokale droge.

Top Channel