Minnesota “vishet” me të purpurt

08/06/2016 00:00

Ngjyra e purpurt dominoi të martën në Minnesota, pasi guvernatori Mark Dayton e shpalli 7 qershorin si Ditën e Prince, në nder të asaj që do të ishte ditëlindja e 58 e këngëtarit.

Ikona e muzikës, i njohur për këngë të tilla si “Purple rain” dhe “When Doves Cry” u nda nga jeta më 21 prill si pasojë e një mbidoze aksidentale qetësuesish në banesën e tij në Paisley Park.

Guvernatori i Minnesotas, ku u lind dhe jetoi artisti trupvogël, inkurajoi qytetarët të mbanin veshje të purpurta, ngjyrë kjo që tashmë identifikohet me Prince.

Adhuruesit e mbledhur në Paisley Park, të cilët e kishin ndjekur këshillën, vendosën kurora lulesh pranë banesës dhe kënduan “happy Prince day”, “Gëzuar Ditën e Prince”.

Iniciativa pushtoi edhe rrjetet sociale dhe hashtagu “Princeday” u kthye në një prej më populloreve në Twitter, ndërsa shumë personalitete në SHBA përkujtuan këngëtarin.

Top Channel