Ndahen çmimet “Glamour”

08/06/2016 00:00

Ai është eventi që mbledh bashkë aktorët më të talentuar e më të nxehtë të momentit: këngëtarë, skenaristë e blogerë të botës së argëtimit, bukurisë e modës.

Ndaj nuk është çudi që tapetin e kuq të çmimeve “Glamour” e mbushën emra të tillë si Susan Sarandon, Rose Byrne, Krysten Ritte, Tanya Burr, e xhelozi për stilin e tyre ngjallën dhe “Little Mix”.

Sarandon, bashkë me veteranen tjetër të Hollivudit, Sigourney Weaver, u nderuan nga revista prestigjioze e modës, njëra me çmimin e hijeshisë, tjetra me atë të frymëzimit.

“Unë frymëzohem nga gratë – tha Sarandon. – Askush nuk është aq i angazhuar sa ato për të bërë disa gjëra njëherësh. Ne thjesht duhet të rreshtim së shqetësuari për të qenë perfekte e të gjejmë kënaqësinë tek ajo që bëjmë”.

Elizabeth Banks, e cila së fundi i shfaqet publikut të gjerë edhe si regjisore, mori në shtëpi çmimin e aktores më të mirë. Ndër fitueset e tjera ishte Jennifer Saunders për kontributin e saj të jashtëzakonshëm, “Little Mix” për aktivitetin muzikor, e Rose Byrne, që u cilësua si aktorja më e mirë në një komedi.

Çmimet “Glamour” nderojnë femrat e konsideruara si më të rëndësishmet e vitit.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel