Havana, tashmë “qyteti mrekulli” i botës

08/06/2016 00:00

Havana duket e destinuar të kthehet në një magnet të fortë për turistët, pas përzgjedhjes si njëri prej “qyteteve mrekulli” të botës, në një sondazh të realizuar “online”.

Konkurrimi global u organizua nga fondacioni “Swiss New7Wonders”, i cili e rreshton në vendin e katërt pas Beirutit, Dohas dhe Durbanit. Vota e publikut ishte vendimtare në përzgjedhjen mes 28 qyteteve në garë.

“Kjo është një arritje e madhe për popullin e Kubës. Ekspertë, adhurues, turistë, të gjithë këta njerëz votuan për ‘La Habana’. Mendoj se është një njohje e rëndësishme që i bëhet kryeqytetit kuban, pasi krijon ndërgjegjësim. Ndërgjegjësim për të shkuarën e ndërgjegjësim për të ardhmen e Havanës”, tha Bernard Weber, nga fondacioni “New7Wonders”.

Me gati 500 vite histori mbi shpinë, kryeqendra e shtetit ishullor ka tërhequr vëmendje të madhe falë pozicionit të saj të paçmuar në Karaibe. Mes atyre që konsiderohen si ikonat e Havanës, sot është kështjella “Morro”, teatri “Alicia Alonso” dhe statuja “Giraldilla”.

Titulli i “qytetit mrekulli” vjen në një kohë kur industria vendase e turizmit ka shënuar një numër rekord vizitorësh, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dikur armike të betuara të Luftës së Ftohtë, e kanë shtuar ndjeshëm interesin e tyre për Kubën.

Top Channel