Kotzias: Çamërinë s’ma përmendën. Mbështesim Shqipërinë pa nacionalizëm

08/07/2016 08:40

Diplomacia greke ka një bazë të fuqishme dhe nuk ka frikë për të diskutuar çdo çështje, ka deklaruar ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, duke bërë një vlerësim të vizitës së tij dyditore në Shqipëri.

“Bëmë hapa pozitive në marrëdhëniet dypalëshe. Është e rëndësishme që në takimin prej gati një ore, kryeministri Edi Rama nuk foli aspak me mua për çështjen aq të diskutueshme (të çamëve), për të cilën kishte folur të shtunën e kaluar”, ka thënë ai.
 
“Edhe me zotin Bushati, i cili në mënyrë të përsëritur theksoi se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale për çështjen e çamëve, diskutuam për bashkëpunimin tonë, krijuam një grup me sekretarët tanë të përgjithshëm, të cilët do të perballen gjatë një afati kohor të caktuar dhe hartës së rrugës, me të gjitha problemet që shpresojmë t’i zgjidhim deri në fillim të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Kotzias për agjencinë shtetërore greke.
 
Ministri i Jashtëm grek ka sqaruar gjithashtu se ai i ka shpjeguar homologut të tij shqiptar dhe bashkëbiseduesve të tjerë se Greqia mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë, mjafton që ajo të sillet në mënyrë europiane, çka nënkupton se nuk duhet të ketë brenda kësaj sjelljeje asnjë element nacionalizmi.
 
I pyetur nëse mënyra dhe këmbëngulja me të cilën ngriti çështjen e çamëve udhëheqja shqiptare, si dhe tubimi i protestuesve para Ministrisë së Jashtme vështirësojnë përpjekjen për një qasje, Kotzias u përgjigj: “Është një problem i njohur, që disa bëjnë politikën e jashtme duke shikuar frontin e tyre të brendshëm. Shqipëria hyn në fushatë zgjedhjesh në fillim të vitit që vjen dhe të gjithë kërkojnë aleanca për një pozicion në qeverinë e ardhshme. Nëse do të bënim politikën e jashtme duke parë vetëm brenda vendit tonë, nuk do të kishte diplomaci ndërkombëtare. Por duhet të theksoj se edhe në Greqi ka forca politike që nuk kuptojnë nga politika e jashtme, nuk e njohin diplomacinë, por përpiqen vetëm për të kënaqur sipas tyre disa audienca ekstreme”.

Top Channel