Zgjedhjet lokale në Itali, “5 Yjet” në balotazhin e Romës

07/06/2016 00:00

Zgjedhjet administrative në rreth 1.300 komuna italiane, ku votuan 62.3% e personave me të drejtë vote, sollën ndryshime në ekuilibrat politikë italianë. U regjistrua një rënie e ndjeshme e preferencave për partitë tradicionale, kryesisht për Partinë Demokratike të së majtës italiane dhe “Forza Italia”-n e së djathtës.

Nga 7 qytetet kryesore ku u votua, konkretisht Romë, Milano, Torino, Bolonja, Trieste, Napoli dhe Kaljari në Sardenjë, e reja më e madhe mbërrin nga kryeqyteti, ku kandidatja e “Lëvizjes 5 Yjet”, Virginia Raggi arriti të marrë 35% të votave e do të shkojë në balotazh me kandidatin e qendrës së majtë, Roberto Giacchetti, që mori rreth 25% të votave.

Në Torino, ku kryebashkiaku aktual Piero Fassino do të shkojë në balotazh, “Lëvizja 5 Yjet” u radhit e para ndër partitë. Nëse Roma do të ketë në krye kandidaten e partisë së Beppe Grillos, “Lëvizja 5 Yjet”, nga një parti vetëm proteste ose opozite do të kthehej në një forcë qeveritare.

Edhe në qytetet e tjera më të rëndësishme parashikohet raundi i balotazhit më 19 qershor.

Top Channel