Japoni, 7-vjeçari “komando” fal të atin që e braktisi

07/06/2016 00:00

Djaloshi japonez që u braktis në pyll nga prindërit e tij pasi u soll keq dhe më vonë u gjet shëndoshë e mirë, doli nga spitali të martën. 7-vjeçari Yamato Tanooka kishte një buzëqeshje të madhe në fytyrë ndërsa doli para mediave, të cilave i konfirmoi se ishte shumë mirë dhe nuk kishte asnjë pasojë nga eksperienca e tij e hidhur.

Yamato shoqërohej nga babai i tij Takauki Tanooka, të cilin ai tha se e kishte falur, pavarësisht ndëshkimit ekstrem që kishte zgjedhur për sjelljen e tij. 7-vjeçari Yamato u la nga prindërit e tij në pyll si formë ndëshkimi dhe u zhduk për një javë.

Ai u gjet në një magazinë të ushtrisë japoneze, disa kilometra larg vendit ku ishte zhdukur. Qindra njerëz u angazhuan në kërkimet për të. Pas gjetjes së tij, Yamato i tregoi autoriteteve se kishte ecur për orë të tëra përmes pyllit derisa mbërriti tek magazina që ishte e hapur.

Ai tha se për disa net fjeti aty duke i shpëtuar të ftohtit të natës. Yamato tregoi se kishte  ngrënë fruta të egra dhe c’të mundej tjetër gjatë atyre ditëve, ndërsa uji fatmirësisht nuk mungonte në magazinë.

Autoritetet japoneze thanë se është një mrekulli që 7-vjeçari mbijetoi për një javë i vetëm në pyll, diçka që pavarësisht shpjegimit të tij të sinqertë, duket mjaft e rrallë.

Top Channel