Romeo dhe Zhulieta është tragjedia ku dashuria triumfon mbi urrejtjen edhe pas vdekjes. Mesa duket ky mesazh që i qëndron kohës është çka ka bërë bashkë aktorë të Kosovës dhe Serbisë në një premierë të rrallë të martën në mbrëmje në Teatrin Kombëtar në Tiranë.

“Bashkëpunimi ynë që ka rrjedhur kaq i natyrshëm do të doja të merrej si shembull prej kastës politike”, u shpreh Jeton Neziraj, bashkëproducent.

Komunikimi përtej kufijve dhe gjuhëve, ka qenë qëllimi i regjisorit Manojloviç.

“Në Europë dhe në botë ne kemi kaq shumë tensione etnike të ndjeshme. Duke folur për Romeo dhe Zhulietën flas edhe për dy gjuhët, shqip dhe serbisht. Si këto gjuhë miksohen njëra me tjetrën, si dy gjuhet bëhen një, kjo është shumë e vështirë por e mundur. Ndërsa sa i përket emocioneve, kush është arsyeja që ne jetojmë? Është dashuria/. Kjo është arsyeja që ne jemi gjallë”, deklaroi Miki Manojloviç, regjisor.

Ndoshta jo në rolin e Romeos, por sërish simbol i një dashurie të ndaluar, Uliks Fehmiu, djali i aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu dhe i një nëne serbe, u përpoq të shprehte emocionin e herës së parë në Tiranë.

“Artistët janë shpesh ata të cilët të parët i ndërtojnë urat e rrënuara ndërmjet popujve”, tha Fehmiu.

Romeo dhe Zhulieta është një temë e përhershme sesi dashuria njerëzore kapërcen kufijtë e kombeve, gjuhës dhe paragjykimeve, por në këtë rast ajo nuk vjen si tragjedi fatale, por si një përpjekje artistike për të ndërtuar ura.

Top Channel