Kosovë, kapen 58 kg marijuanë me destinacion Zvicrën. Arrestohen 5 vetë

07/06/2016 00:00

Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona të dyshuar gjatë së martës, ndërsa ka konfiskuar 58 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë. Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të lëndëve Narkotike, pas hetimeve disamujore ka zbuluar drogën në disa ulëse të një mobilierie që gjendet në aksin rrugor Ferizaj-Shkup.

Arrestimet janë bërë në rajonin e Pejës dhe Gjakovës, ku dyshohet se të arrestuarit kanë qenë duke e transportuar drogën me destinacion shtetin e Zvicrës. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tha për “KosovaPress” se, 58 kilogramë janë gjetur në një mobileri, kryesisht në ulëse të cilat janë përdorur për tregti.

“Policia e Kosovës, në datën 6 ka realizuar një operacion të suksesshëm policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e 5 personave të dyshuar dhe konfiskimin e 58 kilogramëve substancë narkotike e dyshuar marijuanë. Rasti konkret ka të bëjë më dyshimet se, këta persona kanë tentuar që përmes mobiljeve të fshehin sasinë e substancës narkotike dhe ta dërgojnë në shtetin e Zvicrës”, tha Kelani.

Kelani bëri të ditur gjithashtu se, gjatë aksionit janë gjetur edhe disa telefona celularë, një pushkë dhe qese të ndryshme me substanca narkotike. Ai shtoi se Policia e Kosovës ka konfiskuar drogën në një mobileri në autostradën Ferizaj-Shkup, ndërsa tha se arrestimet janë bërë në rajonin e Pejës dhe Gjakovës.

Sipas sqarimit të policisë, lidhur me këtë rast janë arrestuar: A. L., lindur në vitin 1976; R. H., lindur në vitin 1975; N. N., lindur në vitin 1979; A. Gj., lindur në vitin 1968; si dhe J. H., lindur në vitin 1960. Gjatë operacionit janë kontrolluar 4 shtëpi banimi, një banese në qytetin e Pejës, si dhe një shtëpi në fshatin Kotradiç të Pejës.

Top Channel