Veseli, në Britani. Takohet me homologun Bercow

07/06/2016 00:00

Në vazhdën e takimeve me drejtues të lartë të shtetit britanik në Londër, këtë të martë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli është pritur në takim nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Britanisë së Madhe, John Bercow.

Veseli e falënderoi homologun e tij britanik për mbështetjen dhe ndihmën, që Britania e Madhe ka dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke shprehur shpresën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik, integrimit europian të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare, bën të ditur “Telegrafi”.

“Britania e Madhe ka qenë në krah të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës në momentet më të vështira. Ajo ka pasur dhe ka rol tejet të rëndësishëm në njohjen dhe forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës. Ne këtë e çmojmë dhe konsiderojmë vlerë të qëndrueshme dhe vullnet për thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm. Bashkëpunimi ndërparlamentar, sundimi i ligjit dhe investimet në fushën e ekonomisë përbëjnë fusha të interesit tonë të përbashkët”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Bercow mori gjithashtu ftesë nga kreu i Kuvendit për një vizitë në Kosovë.

Top Channel