Humbi miliardat e bankës, francezi merr dëmshpërblim për pushimin nga puna

07/06/2016 00:00

Ish-agjenti i bursës, Jerome Kerviel, transaksionet e paautorizuara të të cilit i humbën bankës së tij 4.9 miliardë euro, fitoi në gjykatë pretendimin për pushim të paligjshëm nga puna.

Një gjykatë në Francë vendosi se, banka “Societe Generale” e kishte pushuar atë nga puna jo për shkak të veprimeve të tij, të cilat banka duhej t’i kishte ditur, por për shkak të pasojave. Gjykata urdhëroi bankën që t’i paguajë Kervielit një dëmshpërblim prej 450 mijë eurosh.

Një avokat i bankës tha se “Societe Generale” do ta apelojë këtë vendim skandaloz, që shkon kundër ligjit. 39-vjeçari Kerviel bëri 3 vite burg, pasi u dënua për “shkelje të besimit” dhe “mashtrim” në tetor të vitit 2010. Ai u akuzua për humbjen e 50 miliardë eurove të bankës “Societe Generale” pa dijeninë e kësaj të fundit, diçka që thuasje e falimentoi shoqërinë.

Por në gjyq, Kerviel tha se banka e dinte se ç’po bënte ai dhe bëri një sy qorr. Duket se këtë e ka besuar Gjykata e Punës, e cila tha banka nuk mund të pretendojë se nuk kishte dijeni për operacionet e Kerviel, e rrjedhimisht ai u shkarkua pa asnjë shkak.

Avokati mbrojtës i Kerviel tha se, vendim i i gjykatës shembi historinë e rreme, që banka “Societe Generale” tregonte që prej fillimit të kësaj çështjeje. Kerviel ka kërkuar gjithashtu një rigjykim të çështjes kriminale që e dërgoi në burg, përmes të cilit synon që të kundërshtojë urdhrin për të paguar humbjet e bankës.

Top Channel