Avancimi i NATO-s drejt Lindjes, Rusia kundërpërgjigjet me një bazë në Klintsy

07/06/2016 00:00

Rusia është duke krijuar një tjetër bazë ushtarake pranë kufirit të saj me Ukrainën, e fundit e një zinxhiri vendndodhjesh ushtarake, përgjatë asaj që Kremlini e konsideron si “vija e frontit” në konfrontimin gjithnjë e më të madh me NATO-n.

Edhe pse nuk ka pasur ende asnjë përplasje mes ish-rivalëve të Luftës së Ftohtë, Rusia po shton forcat e saj në kufijtë perëndimorë të vendit, në një kohë kur aleanca atlantiko-veriore e NATO-s po zhvillon një stërvitje masive ushtarake dhe po rrit praninë ushtarake në kufijtë lindorë.

Një reporter i “Reuters”-it që vizitoi qytetin rus të Klintsy, rreth 50 km larg Ukrainës, pa një kamp të improvizuar ushtarak, një numër të lartë ushtarësh të sapombërritur, si dhe mjetesh ushtarake.

Dy ushtarë të kamufluar, të cilët qëndronin në hyrje të një pike kontrolli të improvizuar pranë një pylli, e larguan reporterin duke i thënë se “ishin në ruajtje të një vendi specifik ushtarak”. Edhe vitin e kaluar, ishte sërish “Reuters” që raportoi mbi ngritjen e dy bazave të reja ushtarakë më në jug të kufirit ruso-ukrainas.

Ministri e Mbrojtjes nuk e ka pranuar dërgimin e trupave ushtarakë në Klintsy, vend që zakonisht shërben si një pikë pushimi për drejtuesit e kamionëve që udhëtojnë mes Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë. Gjithsesi, një zyrtar i këshillit të qytetit tha se, Klintsy është përzgjedhur si vendndodhja e një divizioni të sapoformuar, e deri më tani atje kishin shkuar rreth 240 ushtarë.

“Çfarë ka për të fshehur? Që ata kanë ardhur? Ju mund t’i shihni edhe vet, ata janë këtu”, tha zv.kreu i këshillit, Oleg Kletny. “Ata do të krijojnë një garnizon këtu”.

Kur të kompletohet e gjitha, baza do të jetë e fundit ndër komponentët për të krijuar një forcë të gatshme përgjatë linjës kufitare nga deti Baltik në Veri e deri në detin e Zi, në Jug.

Pikërisht në krahun perëndimor të kësaj “linjeje”, NATO po alternon vazhdimisht forca të shumta ushtarake dhe pajisjesh të rënda, të cilët u përkasin shteteve që dikur kanë qenë pjesë e Paktit të Varshavës të udhëhequr nga ish-Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Aleanca perëndimore, e cila thotë se po përgjigjet vetëm ndaj ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, po kryen gjatë kësaj jave një prej stërvitjeve më madhore në Lindje të Europës, që prej Luftës së Ftohtë. Ndërkohë, në lindje të “linjës”, Rusia po shton praninë e saj me justifikimin se po vetëmbrohet nga avancimi i NATO-s drejt Lindjes.

Top Channel