Europiani i Francës, për të harruar sulmet terroriste

07/06/2016 00:00

Qyteti i dashurisë, Parisi është në përgatitjet e fundit përpara nisjes së kampionatit europian. Zonat e tifozëve janë thuajse gati, me përmasa gjigante për të përballuar fluksin e të gjithë dashamirësve të këtij sporti. Aty kanë mbërritur edhe turistët e parë.

“Kampionati i jep mundësinë Francës për të rregulluar imazhin e muajve të fundit, e futbolli është pikërisht mënyra e duhur pasi bashkon njerëzit”, tha një turiste.

Edhe një nga qytetet më të bukura të Rivierës franceze në Jug të vendit, Nisa është drejt përfundimit të përgatitjeve. Stadiumi i ri “Allianz Riviera”, i përfunduar në vitin 2013, ka një kapacitet prej 36.000 vendesh dhe aty do të luhen 4 ndeshje. Shumë shpresojnë se kampionati do të sjellë rritjen e të ardhurave në sektorin e ekonomisë.

“Euro2016 është një ngjarje shumë e rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht për të rinjtë. Njerëzit të cilët luajnë futboll nuk janë në moshën time, ata janë shumë më të rinj. Këtu është krijuar ideja se, ne jemi një qytet që flet vetëm për historinë, ndaj duam ta thyejmë këtë mit. E reja tani është Euro 2016”, tha Michel Tschann, president i hotelerisë së Nisës.

Top Channel