Lufta kundër terrorizmit, Hyseni: Bosnja e Serbia na pengojnë

07/06/2016 00:00

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i informacioneve mes institucioneve të sigurisë së vendeve të ndryshme janë thelbësore për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por në këtë pikë Kosova përballet me probleme, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohës të rrethanave të sigurisë në vend.

Në raportin e fundit vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit për terrorizmin thuhet se, “mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina pengojnë pjesëmarrjen e vendit në shumë nisma rajonale kundër terrorizmit”.

Ministri i Brendshëm kosovar, Skënder Hyseni, duke folur për “Radion Evropa e Lirë” vlerëson se, mosnjohja e Kosovës dhe mungesa e marrëdhënieve diplomatike me këto dy vende të rajonit janë pengesa kryesore për shkëmbim informacionesh dhe angazhimin më të madh të vendit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në kontekstin rajonal.

“Me Serbinë dhe Bosnjën ka defiçit pothuajse total të shkëmbimit të çfarëdolloj informacioni. Ndërkohë që me vendet e tjera të rajonit kemi bashkëpunim përgjithësisht të mirë, kryesisht me Shqipërinë”, pohon Hyseni për “Radion Evropa e Lirë”.

Top Channel