Turqi, 4 të arrestuar në lidhje me sulmin vdekjeprurës me 11 viktima

07/06/2016 00:00

Agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu, duke cituar zyrtarë të policisë bën të ditur se janë arrestuar 4 persona në lidhje me sulmin vdekjeprurës ndaj autobusit që transportonte policë në qendër të Stambollit, më herët gjatë kësaj të marte, si pasojë e të cilit mbetën të vdekur 11 persona.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 8:40 me orën lokale në lagjen Beyazit të zonës më historike të Stambollit, Fatih. Si pasojë e tij humbën jetën 7 oficerë policie dhe 4 civilë, ndërsa 36 persona të tjerë mbetën të plagosur, prej të cilëve 3 në gjendje të rëndë, bëri të ditur guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin.

Mediet lokale raportuan se shpërthimi ishte i telekomanduar dhe ndodhi pikërisht kur pranë automjetit-bombë kaloi autobusi me pasagjerë punonjës policie. Deri më tani, ende asnjë grup nuk e ka marrë përsipër autorësinë e ngjarjes.

Zona e ngjarjes; përfshi sheshin Beyazit, kampusin kryesor të Universitetit të Stambollit, si dhe stacionin e metrosë Vezneciler; u evakuua menjëherë pas shpërthimit. Pamjet e vendngjarjes tregojnë shkatërrime të konsiderueshme të ndërtesave përreth, teksa xhamat e dritareve ishin të gjitha të thyera.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili vizitoi disa prej të plagosurve në spital shprehu ngushëllimet e tij për jetët e humbura, ndërkohë që deklaroi se sulmi ishte i pafalshëm.

“Më lejoni të jem i qartë. Organizatat terroriste, në dallim nga civilët, ushtarët dhe policët, nuk vlejnë aspak për ne. Por si gjithmonë, objektivi përfundimtar janë qeniet njerëzore”, tha ai. “Misioni i ushtarëve tanë, policëve dhe rojeve të qytetit, është gjithmonë mbrojtja e jetëve tona dhe pronave tona. Është e papranueshme që këta njerëz u bënë prè e sulmit. Do të vazhdojmë luftën tonë kundër terrorizmit të pafrikësuar”, tha presidenti turk.

Edhe kryeministri i ri i Turqisë, Binali Yildirim, i cili mori postin në fund të muajit të kaluar, dënoi terroristët që vranë të pafajshëm gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit. Ai tha për reporterët se, kushdo që fshihet pas këtij sulmi, “tregoi edhe njëherë se është armik i vlerave njerëzore”, e ka cituar atë të ketë thënë, agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania u treguan tepër të shpejta në reagimet e tyre për të dënuar sulmin, ndërsa presidenti francez, Francois Hollande tha përmes një deklarate se “ky akt i patolerueshëm dhune duhet të konfirmojë më shumë se kurrë vendosmërinë tonë për të luftuar të gjitha format e terrorizmit”.

Ambasada amerikane në Turqi njoftoi përmes rrjetit social “Twitter” se “do të vazhdojë të qëndrojë krah më krah me Turqinë në luftën kundër terrorizmit”.

Top Channel