Itali, ish-kryeministri Berlusconi shtrohet në spital prej infarktit

07/06/2016 13:00

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi është shtruar këtë të martë në një spital të Milanos, për shkak të problemeve me zemrën.

“Silvio Berlusconi është shtruar në spitalin ‘San Raffaele’ në Milano për shkak të një infarkti në zemër”, tha zëdhënësja e spitalin, marta Ammoni, përmes një deklarate të bërë publike.

Manjati mediatik 79-vjeçar mbërriti mëngjesin e së martës në spital, sipas asaj që bën të ditur Ammoni, por për detaje të mëtejshme dhe të plota të trajtimit të tij do të duhet të pritet deri në një datë të mëvonshme.

Ndërkohë, një zëdhënëse e partisë së Berlusconit tha për “Reuters” se gjendja e tij nuk përbën kërcënim për jetën.

Miliarderi dhe njëkohësisht politikan i goditur nga shumë skandale seksuale, është zgjedhur 4 herë kryeministër i Italisë, por u rrëzua nga pushteti në vitin 2011 në mes të krizës financiare të Eurozonës. Ai tashmë është në krye të partisë “Forza Italia”, numrat e së cilës janë gjithnjë e më shumë në rënie.

Reputacioni dhe statura e Berlusconit në skenën ndërkombëtare është trajtuar prej vitesh me detaje sensacionale të festave të tij të famshme, të quajtura “bunga bunga”, sigurisht me përfshirjen e shumë modeleve dhe yjeve të moshës shumë të re.

Në nëntor të viti 2013, Silvio Berlusconi u përjashtua nga Senati italian, pas votimit të ligjvënësve për shkak të një dënimi gjyqësor që mori për evazion fiskal.

Top Channel