NATO tregon ‘dhëmbët në dyert’ e Rusisë

07/06/2016 00:00

NATO do të zhvillojë në Poloni stërvitjen më të madhe ushtarake në Europën Lindore, që nga periudha e Luftës së Ftohtë, si kundërpërgjigje ndaj agresivitetit rus në këtë rajon.

31 mijë trupa, 3 mijë mjetë tokësore, 105 avionë luftarakë dhe 12 anije do të përfshihen në manovrën më të madhe stërvitore që është parë prej dekadash në Poloni.

Stërvitja interpretohet si kundërvënie ndaj Rusisë që ka rritur praninë e vet ushtarake në kufijtë e shteteve të Europës Lindore.

Në stërvitjen e emëruar “Anakonda” marrin pjesë 24 vende anëtare, përfshirë Shqipërinë si dhe vende partnere, përfshirë këtu edhe Ukrainën.

SHBA ka dërguar 14 mijë trupa në këtë stërvitje, 12 mijë janë polakë, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes vendeve të tjera anëtare dhe partnere të Aleancës.

Në ceremoninë e hapjes, ministri polak i Mbrojtjes tha se manovrat synojnë të testojnë dhe rrisin aftësinë e NATO-s për të mbrojtur kufijtë e saj lindorë.

Drejtuesit e Aleancës thonë se stërvitja është pjesë e strategjisë së re ndaj Moskës, ku tregohet forca, por nuk mbyllen dyert e dialogut. Komunikimi mes NATO-s dhe Rusisë është ndërprerë që prej ndërhyrjes së trupave ruse në Ukrainë.

Aleanca thotë se do të vazhdojë dialogun formal dhe do të presë palët ruse që të bëhet pjesë e këtij dialogu deri para samitit të Varshavës. 

FOTO GALERI
1/13

Top Channel