Marina e SHBA-ve në Japoni ia ndalon alkoolin stafit

06/06/2016 00:00

Anëtarëve të marinës amerikane në Japoni i është ndaluar kategorikisht alkooli dhe daljet nga bazat, me përjashtim të rasteve urgjente, pas disa incidenteve për shkak të disa gotave më shumë që sipas flotës së 7 të marinës po dëmtojnë marrëdhëniet me Japoninë.

Në një komunikatë zyrtare, flota e 7 tha se masat hyjnë në fuqi menjëherë dhe se kushdo që i shkel do të ndëshkohet në mënyrë shembullore.

“Këto masa nuk duhen marrë lehtë. Prej dekadash kemi një lidhje të fortë me popullin japonez dhe është e rëndësishme që çdo marinar të kuptojë se veprimet tona ndikojnë tek kjo marrëdhënie dhe tek aleanca mes nesh dhe Japonisë”, deklaroi admirali Matthew Carter, komandat i forcave detare në Japoni.

Masat e ashpra u morën pas disa incidenteve ku u përfshinë marinarë, të cilët kryesisht akuzohen për abuzime seksuale në gjendje të dehur. Kjo solli protesta të shumta nga komuniteti japonez, i cili edhe pa incidente të tilla kërkon largimin e bazave amerikane nga vendi.

Vetë Presidenti Barack Obama, gjatë vizitës së tij në Japoni, kërkoi falje për vrasjen e një gruaje japoneze për të cilën akuzohet një ushtar amerikan i dehur. Në vendimin e saj, marina nuk përmendi asnjë prej këtyre incidenteve të dhunshme, por është e qartë pse janë marrë masat.

Sipas ushtrisë amerikane, 19 mijë ushtarë janë të dislokuar në Japoni. Ndalimi i alkoolit vlen vetëm për ata me uniformë, por ushtria i ka kërkuar anëtarëve të familjeve të ushtarëve, personelit civil dhe anëtarëve të shërbimeve të tjera që gjithashtu ta respektojnë atë.

Top Channel