Rusia kërcënon sërish, Lavrov: Kundërpërgjigje ndaj NATO-s

06/06/2016 00:00

Me pretendimin se është frikësuar nga rritja e stërvitjeve ushtarake të NATO-s në rajonin baltik, Rusia thotë se do të përgjigjet me të njëjtën monedhë.

Në një takim të zhvilluar me homologun e tij finlandez, Timo Soini, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se Kremlini po ashtu do të marrë masat e tij , por pa dhënë detaje se cilat do të jenë ato.

“Ne nuk e fshehim qëndrimin apo vendimet qe do te marrim ndaj të gjithë lëvizjeve që po bën NATO. Kështu ne kërkojmë të drejtën sovrane të Rusisë për te ruajtur sigurinë e saj . Unë jam i bindur se partnerët tanë finlandezë dhe fqinjët do ta kuptojnë këtë”, u shpreh Lavrov.

Paralajmërimet e Lavrov vijnë në një kohë kur tensionet ndërmjet NATO-a dhe Rusisë janë rritur ndjeshëm, pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për kërcënim sovraniteti.

Aleanca atlantiko-veriore e NATO-s ka nisur stërvitjet më masive ndonjëherë në historinë e saj, në Poloni e cila do të zgjasë deri në 16 qershor,  në një situatë kur vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kërkojnë më shumë garanci për sigurinë, pas shqetësimeve të Rusisë. Për sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, samiti i NATO-s që do të mbahet në Varshavë në muajin korrik vjen në një moment kur siguria dhe vlerat ndërkombëtare janë cenuar nga lindja në perëndim.

Top Channel