Kinematografi, “X-Men Apocalypse” po thyen rekordet

06/06/2016 00:00

Ai është cilësuar si filmi i superheronjve për vitin 2016. “X-Men Apocalypse” është seria më e re e mutantëve me fuqi të mbinatyrshme, një film që për të dytën javë radhazi ka thyer rekordet e arkëtimeve në mbarë botën.

I lançuar paralelisht me serinë e dytë të aventurave të “Lizës në botën e çudirave”, “X-Men” ka marrë vëmendjen e audiencës dhe kritikëve, duke zbehur shkëlqimin e premierës së re të “Walt Disney”-t. Kështu, seria me titull “Apokalipsi” ka lënë në hije premierën e filmit “Alice Through the Looking Glass”, ndërsa vijon të kryesojë klasifikimet kinematografike, si filmi më i kërkuar i momentit.

Kasti i zgjedhur i aktorëve renditet si një ndër pikat më të forta të filmit, meritë kjo e regjisorit Simon Kinberg, i cili ka mbledhur rreth vetes në këtë film emra të njohur të Holliwoodit, si: Sophie Turner, Jennifer Laërence, Oscar Isaac etj., të cilët vijnë si kurrë më parë në ekranin e madh, krejtësisisht të shndërruar nën petkun e personazheve mbinatyrorë.

“Forbes” dhe “the Guardian” i kanë kushtuar hapësirë të veçantë në radhët e tyre famës së “X-Men”, duke shkruar se ky prodhim kinematografik po lulëzon në tregun ndërkombëtar. E ndonëse shifrat e arkëtuara janë tepër të larta, “X-Men” mbetet pas “Batman vs Superman”, një film, arkëtimet e të cilit kanë bërë histori, pasi ka mundur të mbledhë rreth 800 milionë dollarë.

Momentalisht pas “X-Men Apocalypse”, i cili ka arkëtuar më shumë se 400 milionë dollarë, renditet “Alice Throught the Looking Glass”, ndërsa një tjetër film i animuar renditet në vendin e tretë: “Angry Birds”. Ky i fundit pasohet nga loja e aktorëve George Clooney dhe Julia Roberts në “Money Monster”, ndërsa 5-shja e filmave më të pëlyqer të momentit mbyllet me “The Jungle Book”, sërish një film i animuar, i cili në qendër ka historinë e Moglit marrë nga “Libri i xhunglës”.

Top Channel