Kaliforni, hiqet urdhri i evakuimit të detyrueshëm prej zjarreve

06/06/2016 00:00

Edhe pse kushtet atmosferike e kanë ndihmuar përhapjen e shpejtë të tyre, zjarrfikësit arritën t’i frenonin disi zjarret që pushtuan kodrat në periferi të Los Angelesit, e arritën të kërcënonin edhe shtëpitë në qytetin e begatë të Calabasas.

Pasi 5.000 vetë u detyruan të largoheshin nga zona të shtunën, zyrtarët lokalë e hoqën urdhrin e evakuimit të detyrueshëm për banorët e rajonit, që shumë persona të rëndësishëm e konsiderojnë shtëpinë e tyre.

30% e zjarreve që dogjën qindra hektarë tokë janë frenuar, njoftuan drejtues të Departamentit të Zjarrfikësve në Los Angeles. Moti u tregua një aleat i mirë, sepse gjatë natës, temperaturat ranë ndjeshëm, por nuk përjashtohet mundësia që të rriten sërish.

Në betejën me flakët u përfshinë rreth 400 zjarrfikës, 3 nga të cilët kanë mbetur të lënduar. Aktualisht ka disa vatra aktive zjarresh në Jug të Kalifornisë, ku i nxehti i madh i ka tharë shkurret, çfarë e bën më të lehtë përfshirjen e tyre nga flakët.

Top Channel