Kosovë, AAK dhe Nisma kërkojnë zgjedhje të parakohshme

06/06/2016 00:00

Dy formacionet politike opozitare të Kosovës, AAK dhe Nisma, kanë kërkuar përmes një konference të përbashkët për shtyp të kësaj të hëne shpalljen e zgjedhjeve të reja. Udhëheqësit e të dy partive thanë se, Qeveria e Kosovës po tenton t’i fusë jashtë radhe në Kuvend, dy marrëveshje që sipas tyre janë të dëmshme për vendin.

“Ne, si Nismë dhe AAK, kërkojmë që të ulemi menjëherë dhe të shpallim datën e zgjedhjeve, e më pas të flasim për këto dy tema. Kjo neglizhencë e ka dëmtuar Kosovën dhe po dëmton procesin e liberalizimit. Rruga dhe tendenca për të kaluar, përmes trafikimit dhe presionit ndaj deputetëve, të tyre ka vetëm pasoja, ndaj kërkojmë të ndalohet çdolloj tentative për t’i kontrabaduar këto marrëveshje dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Limaj.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se duhet të ndërpritet kjo gjendje dhe të vendoset për zgjedhje.

“Jemi të shqetësuar sepse, në rast se këmbëngulet për trafikimin e këtyre marrëveshjeve, do të thellohet edhe më tej kriza në vend. Po kërkojmë nga koalicioni të mos ndjekë këtë rrugë. Situata është serioze. Duhet t’u gjejmë një rrugëzgjidhje këtyre marrëveshjeve dhe ajo është shkuarja në zgjedhje. Situata bëhet shumë ë komplikuar nëse këmbëngulet që këto marrëveshje të kalohen me trafikim. Është momenti të kërkojmë dalje nga kriza dhe jo kthim në gjendjen e mëhershme. Shqetësimi për këto tema nuk është vetëm i opozitës, por edhe i qytetarëve”, tha Haradinaj.

Top Channel