Ramazani në Palestinë, banorët: Gëzojmë edhe pse të pushtuar

06/06/2016 00:00

Palestinezët në Jeruzalem, Bregun Perëndimor e Gaza nisën të dielën grumbullimin e ushqimeve me fillimin e Ramazanit. Në këtë mënyrë, ata u janë bashkuar mbi 1.5 miliardë myslimanëve në 50 shtete të botës, që përgatiten për muajin e shenjtë të agjerimit. Në Gaza, megjithatë, kremtimet mbeten gjithmonë nën hijen e bllokadës izraelite.

“Në Gaza, atmosfera e Ramazanit është shumë e këndshme, por ndikimi i bllokadës së Izraelit me mbylljen e pikave të kalimit dhe familjet e zhvendosura, mbetet përherë i madh”, tha Mohamad Asido, banor i Gazës.

Zbukurimet në dyqane janë pjesë e pandashme e festës. Në Ramallah të Bregut Perëndimor, një fener gjigant është ndezur në mes të qendrës së qytetit, e do të qëndrojë atje deri në fund të muajit. Situata e vështirë ekonomike nuk i mban njerëzit larg kremtimeve.

“Edhe pse jetojmë nën pushtim e me vështirësi të mëdha, sërish na pëlqen të gëzojmë e të ndiejmë kënaqësi gjatë Ramazanit e festave të tjera. Pavarësisht të gjithë dhimbjes e pengesave, ne vazhdojmë të buzëqeshim”, tha Rajaee Salaymeh, banor i Hebronit.

Në shumicën e vendeve islame, muaji gjatë të cilit besimtarët agjerojnë në orët e ditës, tradicionalisht fillon pasi shfaqet hëna e re. Kjo është edhe arsyeja përse në disa shtete, ai nis në ditë të ndryshme.

Top Channel