Euro 2016, sa shumë luks kërkojnë “të mëdhenjtë” e futbollit europian

06/06/2016 00:00

Drejtuesit e hoteleve në Francë kanë filluar tashmë përgatitjet për të plotësuar kërkesat e përfaqësueseve që do të akomodojnë. Zgjedhjet janë bërë prej muajsh dhe çdo hotel është përshtatur me kërklesat e veçanta të kombëtareve.

Kështu, Gjermania ka privilegjin që të qëndrojë në hotelin “Ermitazh” me pamje nga liqeni Lemano në Evian. Stafi i këtij hoteli iu nënshtrua menjëherë mësimit të gjuhës gjermane, ndërkohë që delegacioni i kampionëve të botës ka kërkuar edhe një ndryshim: krijimin e një salle të re bilardoje, pasi aktualja ishte me përmasa shumë të vogla.

Ndërsa kampionët e Europës, Spanja, kanë privilegjin që të bëjnë përgatitjet e tyre në breg të detit, duke qenë se janë akomoduar në hotelin “Atalantë” në “Il De Re”, ku ata instaluan një shërbim interneti më të shpejtë, e sidomos një abonim të kanaleve televizive spanjolle në dhomat e lojtarëve.

Një tjetër detaj, që iberikët i kushtuan vëmendje, ishte bari në fushat stërvitore, të cilin ata e ndërruan nën vëzhgimin e një eksperti irlandez. Po kështu, Del Bosque kërkoi vendosjen e një barriere të lartë 5 m për të evituar përgjime, dëshirë që iu realizua përgjysmë, pasi barriera e ndërtuar ishte 2.5 m e lartë.

Të njëjtën gjë e kërkoi edhe trajneri i Anglisë, Roy Hodgson, i cili ishte i bindur se në Botërorin e vitit 2014, “Tre luanët” e humbën ndeshjen e parë me Italinë, pasi dikush nga stafi i Prandellit arriti të vëzhgojë përgatitjet e anglezëve para ndeshjes.

Ndërsa në Montpellier bëhen të ditura kërkesat e veçanta të Italisë së Contes, që do të stërvitet në fushën e skuadrës vendase që u përurua një vit më parë. Stërvitja e “të kaltërve” do të bëhet nën mbrojtjen e dhjetëra forcave policore dhe nga dy agjentë të reparteve speciale, për shkak të kërcënimeve për sulme terroriste.

Top Channel