Ukraina arreston francezin: Planifikoi sulme terroriste gjatë Euro 2016

06/06/2016 00:00

Një shtetas francez është arrestuar në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë me rreth 125 kg eksploziv, i cili dyshohet se ka qenë duke planifikuar një seri sulmesh terroriste në Francë, në mënyrë të tillë që të koinçidonin me zhvillimin e “Euro 2016”, kompeticinit më madhor futbollistik në kontinentin e vjetër.

Shërbimet sekrete ukrainase bënë të ditur se personi i arrestuar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve, ka folur me nota negative mbi emigracionin masiv dhe përhapjen e Islamit. Ai madje dyshohet të ketë pasur kontakte edhe me grupe të armatosura ilegale në Ukrainë, me synimin për të blerë armë dhe eksploziv prej tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur policia ukrainase, e cila shton se francezi është arrestuar në fund të muajit maj, por ngjarja është bërë publike tani pasi sot është bërë thuajse zyrtar edhe dyshimi i forcave ligjzbatuese se ai po thurrte komplote për sulme gjatë kampionatit europian, që do të nisë nga dita e premte në Francë, kur “gjelat” do të ndeshen me Rumaninë.

Kreu i Shërbimit Shtetëror të Sigurisë në Ukrainë (SBU), Vasily Gritsak tha se “shtetasi francez ka folur me fjalë të rënda mbi veprimet e qeverisë së tij, mbi emigracionin masiv, përhapjen e Islamit dhe globalizimin në tërësi, si dhe ka folur për planet e të zhvilluarit të sulmeve terroriste”.

Në deklaratën e SBU-së gjatë së hënës, thuhet se francezi ishte në ndjekje që prej dhjetorit, por ai u lejua të blinte 5 automatikë të rëndë, dy granada raketëhedhëse, si dhe armatime të tjera, përpara se të arrestohej në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë.

Agjencia nuk e identifikon personin, por tha se ai udhëhiqet nga pikëpamje ultranacionaliste dhe besohet të ketë planifikuar 15 sulme ndaj urave, metrove, por edhe pjesëve të tjera të infrastrukturës së përdorshme për “Euro 2016”-n që do të zhvillohet në Francë.

Europiani i këtij viti po zhvillohet nën një atmosferë të gjendjes së lartë të gatishmërisë, pas sulmeve vdekjeprurëse në Paris dhe Bruksel në nëntor të vitit të kaluar dhe këtë fillimvit.

Top Channel