Finalet e NBA, Golden State udhëheq 2-0 ndaj Cleveland

06/06/2016 00:00

Golden State fiton sërish në Finalen e madhe të NBA ndaj Cleveland Cavaliers. Në “Oracle Arena”, Warriors e shkatërroi askuadrën nga Ohajo 110-77, duke marrë kryesimin 2-0 në serinë e përballjeve me të, duke i vënë përpara Cleveland detyrën e vështirë të përmbysjes së serisë.

Edhe në këtë përballje Curry dhe Thompson nuk u shfaqën në maksimumin e tyre dhe e mbyllën takimin respektivisht me 18 dhe 17 pikë. Por Golden State tregoi sërish se është në gjendje të fitojë edhe kur “Splash Brothers” nuk shkëlqejnë plotësisht.

Cleveland arriti të qëndrojë në lojë vetëm në periodën e parë, ndërkohë që në pushimin e ndeshjes skuadrat shkuan me rezultatin 52-44 në favor të Warriors. Në periodën e tretë dhe të katërt sfida nuk pati histori, pasi Golden State e dominoi totalisht kundërshtarin, duke e mbyllur sfidën 110-77.

Nëse në sfidën e parë ishte Livingston ai që bëri diferencën për Warriors, këtë radhë ai që mori protagonizmin për skuadrën e Steve Kerr ishte Draymond Green, me 28 pikë të shënuara.

Për Cleveland nuk mjaftuan 19 pikët e LeBron James për t’i shpëtuar këtij poshtërimi.

Seria e ndeshjeve transferohet në Ohajo, në “Quicken Loans Arena”, ku Golden State do të kërkojë të mbyllë sa më shpejt historitë e kësaj Finaleje të NBA.

Top Channel