Jordani, sulm terrorist ndaj selisë së Shërbimeve Sekrete; 5 të vrarë

06/06/2016 00:00

Një sulm i rrallë terrorist raportohet të ketë lënë 5 jordanezë të vdekur, përfshi 3 oficerë ushtarakë, në periferinë veriore të kryeqytetit Amman gjatë kësaj të hëne.

Sipas raportimeve të para, bëhet fjalë për një sulm të armatosur ndaj zyrave të Shërbimeve të Përgjithshme të Inteligjencës (GIS) në Veri të Ammanit, sipas ministrit për Çështjet e Medias, Mohammed al-Momani, i cili ka folur për gazetën jordaneze “Al-Ghad”.

Një roje jashtë ndërtesës, një punonjës zyre dhe 3 oficerë jordanezë kanë mbetur të vdekur nga ky sulm. El-Momani tha se zyrat e “GIS” pranë kampit të refugjatëve të “Baqaa”-së u shënjestruan nga një sulm terrorist vetëm pak përpara orës 7 të mëngjesit.

Al-Momani tha gjithashtu se sulmi vjen në ditën e parë të Ramazanit, ndaj dhe përfaqëson një devijim të qartë nga besimi Islam, ndërsa gjaku i qytetarëve të rënë sot është derdhur për të mbrojtur Jordaninë dhe shtetasit e saj.

Ministri Al-Momani theksoi më tej se shërbimet e sigurisë janë vënë në ndjekje të agresorëve, ndërsa po hetojnë edhe rrethanat e sulmit. Sipas tij, jordanezët qëndrojnë të bashkuar në përballimin e përpjekjeve për të dëmtuar forcat e tyre të sigurisë, dhe se sulme të tilla vetëm sa do të rrisin kohezionin e jordanezëve në luftimin e “forcave djallëzore”.

Top Channel