SHBA, Clinton fiton primaret e Puerto Ricos; 30 delegatë larg nominimit

06/06/2016 00:00

Pretendentja demokrate për t’u nominuar si kandidate për presidente në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, Hillary Clinton ka fituar edhe primaret e zhvilluara në territorin amerikan të Puerto Ricos.

Sipas projeksioneve, ajo ka fituar më shumë se 60 për qind të votave, krahasuar me afro 35% të rivalit të saj, Bernie Sanders.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Clinton ka nevojë tashmë për mbështetjen e më pak se 30 delegatëve, në mënyrë që të arrijë numrin “magjik” të 2383 të tillëve, aq sa ç’nevojiten për të fituar nominimin partiak, të paktën sa i përket llogarive të “Associated Press”.

Të dielën, Clinton dhe Sanders zhvilluan të dy fushatë në Kaliforni, përpara primareve të së martës në këtë shtet. Clinton dhe Sanders duket se do të ndajnë gjithçka në Kaliforni, aty ku delegatët fitohen mbi baza proporcionale.

Të martën zhvillohen primare edhe në 5 shtete të tjera, përfshi këtu New Jerseyn. Në total priten të deklarohen 694 delegatë, se kë do të mbështesin brenda garës së demokratëve.

Megjithatë, edhe nëse Clinton humbet në Kaliforni, ai sërish mund të sigurojë nominimin partiak dhe të përballet me kandidatin thuajse zyrtar të republikanëve, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit. Sa për kuriozitet, edhe pse banorët e Puerto Ricos dhe territoreve të tjera amerikane marrin pjesë në procesin e të ashtuquajturave primare, ata nuk kanë të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale.

Top Channel