Belgjikë, 3 të vdekur dhe 9 të plagosur nga përplasja e trenave

06/06/2016 00:00

Një tren pasagjerësh i orëve të vona të natës është përplasur me pjesën e pasme të një treni mallrash të ndalur, në Lindje të Belgjikës, duke nxjerrë nga binarët dy vagonë dhe duke lënë të vdekur 3 persona e mbi 9 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet vendase gjatë kësaj të hëne. “Treni i pasagjerëve është aktualisht në një gjendje vërtet të mjerueshme”, tha Francis Dejon, kryebashkiak i Komunës së Saint-George-sur-Meuse, gjatë një konference për shtyp. “Jemi vërtet me fat që nuk ka pasur më shumë viktima”.

Ndërkohë, në spital janë trajtuar edhe 27 persona të tjerë me lëndime të lehta si pasojë e aksidentit, që sipas autoriteteve ndodhi rreth orës 23 të mbrëmjes së të dielës.

Rrjeti i transmetimit “RTL” bëri të ditur se treni i pasagjerëve kishte rreth 40 persona në vagonët e tij, teksa udhëtonte me një shpejtësi prej 90 km/h, por është përplasur në pjesën e pasme të trenit të mallrave të ndalur në Hermalle-sous-Huy, pranë bregut të lumit Meuse, pranë Liezhit.

Lokomotiva është shkatërruar thuajse plotësisht, thotë më tej Dejon. Sipas tij, ekipeve të shpëtimit u janë dashur tri orë për të liruar njerëzit e bllokuar në rrënojat e aksidentit.

Disa prej 9 të plagosurve u transportuan në spital dhe ishin në gjendje kritike, ndaj dhe numri i viktimave mund të rritet, thotë kryebashkiaku. Ai tha se prokurorët shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nisën hetimet mbi shkaqet e aksidentit.

Top Channel