Dokumentar për ata që urdhëruan krimet në Kosovë

05/06/2016 00:00

Sulmet brutale të luftës në Kosovë nga këndvështrimi i gazetarëve serbëve, mbase nuk kanë për qëllim një “mea cupla”, por mbi to është ngritur një punë më shumë se dyvjeçare kërkuese.

Emrat e oficerëve, të cilët urdhëruan sulmet në fshatrat përreth zonës së Pejës, imazhe ekskluzive dhe dokumente nga lufta janë pjesë e dokumentarit “Të paidentifikuarit”, i projektuar në “DocuTiff”.

“Ndoqa gjurmët e 11 burrave, anëtarë të ushtrisë jugosllave, ata ishin të përfshirë në një seri krimesh në fshatrat e Kosovës përgjatë luftës. Doja të shkoja më thellë për të parë se kush ishin njerëzit që dhanë këto urdhra”, deklaroi Marija Ristiç.
 
Njerëzit që kanë urdhëruar krimet e kryera në zonën rreth Pejës, janë po të njëjtit që janë përfshirë në zhvendosjen e trupave të viktimave në varre masive përreth Beogradit.

Sot, 16 vite pasi ata kanë kryer këto krime, jetojnë të qetë në kryeqytetin serb dhe pavarësisht provave ekzistuese, ndaj tyre nuk është dhënë asnjë procedim.

“Këta njerëz nuk janë ndjekur penalisht sepse nuk ka vullnet politik për të targetuar njerëzit që dhanë urdhra, jo vetëm për luftën në Kosovë por edhe për luftërat të tjera në Jugosllavi. Tani nuk ka asnjë dyshim që shteti ka qenë pas kësaj”, vijon Ristiç.

Për herë të parë një histori e treguar njëkohësisht nga viktimat dhe persekutorët. Njerëz të cilët kanë jetuar disa nga masakrat më të tmerrshme të luftës në Kosovës. Të paidentifikuarit sjell një këndvështrim të tyre parë së brendshmi, por edhe ftohtë, ashtu siç gazetarët dokumentojnë.

“Ka vend për gazetarë të tjerë të investigojnë. Ky projekt sigurisht që nuk përfundon këtu. Ne do ta ndjekim këtë çështje sërish në të ardhmen”, tha Ristiç.

Top Channel