Poloni, protestë kundër qeverisë

05/06/2016 00:00

Dy ish-Presidentë polakë udhëhoqën rreth 50 mijë protestues në Varshavë për të demonstruar kundër politikave të qeverisë së djathtë dhe gjithashtu për të shënuar 27-vjetorin e rrëzimit të komunizmit.

Ky ishte marshimi i radhës i një serie protestat të tilla të organizuara nga lëvizja civile Komiteti për Mbrojtjen e Demokracisë Kundër Qeverisë që mori pushtetin nëntorin e shkuar.

Politikat e qeverisë kanë tensionuar raportin e Varshavës zyrtare me Bashkimin Europian dhe SHBA, ndërsa ekzekutivi ngul këmbë se ka mandatin që i kanë dhënë votuesit.

Qeveria nacionaliste i ka fokusuar politikat e saj për të ndihmuar ata që kanë mbetur jashtë rritjes ekonomike të vendit dhe gjithashtu duke u përpjekur që të forcojë kontrollin mbi institucionet shtetërore.

Vendimet e qeverisë kanë paralizuar punën e Gjykatës Kushtetuese, kanë vendosur mediat shtetërore nën kontrollin e qeverisë dhe kanë rritur fuqitë survejuese të policisë. Sipas BE, në Poloni janë në rrezik sundimi i ligjit dhe demokracia.

Protesta e fundit bashkoi ish-Presidentët Aleksandër Kasnievski dhe Bronislav Komorovski, të cilët jo më kot zgjodhën ditën e rrëzimit të komunizmit për të organizuar demonstratën. Liderët e protestës thanë se njerëzit duan një Poloni të lirë sepse për të luftuan gjatë dhe politikat e qeverisë aktuale po e rrezikojnë këtë liri.

Por zyrtarë të qeverisë thonë se këto politika që kanë ngjallur debat, në fakt kanë përmirësuar jetën e polakëve dhe po mbrojnë edhe më shumë pavarësinë e vendit brenda Bashkimit Europian.

Top Channel