Të mësosh një hit me ritmin e kupave plastike

05/06/2016 00:00

“Cup Song” është një nismë përmes së cilës njerëz të moshave të ndryshme mësojnë një hit të njohur, përmes 4 apo 5 përsëritjeve duke përdorur kupa plastike për të mbajtur ritmin.

Në vende si Kanadaja, Amerika, madje edhe Europa, kjo nismë është e njohur, ndërsa në vendin tonë vjen për herë të parë nën sloganin “Cup Song Albania”.

Në sheshin “Skënderbej” dhjetëra fëmijë e të rinj kanë përqafuar këtë nismë, e cila u realizua nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, “Sirea Film”, Shoqatës së Mësuesve të Edukimit Fizik dhe Sportit Shkollor si edhe me mbështetjen e Top Channel, si partner mediatik.

“Sot ne po shohim që fëmijët janë mbledhur të gjithë dhe po festojnë këtu në një mjedis të cilëve ju ka munguar dhe përveç parkut, tani edhe një mjedis tjetër. Ne kështu mendojmë ta bëjmë Tiranën për njerëzit, për fëmijët që të gëzojnë e ta bëjnë Tiranën europiane ashtu siç është e gjithë Europa me ambiente ku gëzojnë të gjithë populli”, u shpreh Abaz Hado, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Cup Song” është një nismë që ka fituar popullaritet, pasi përveçse krijon ndjesinë e bashkëjetesës dhe komunikimit njerëzor, ka në thelb një këngë që mbahet mend lehtë dhe luhet në të gjithë botën me kupa plastike, çka e bën një model pa shpenzim monetar.

Top Channel