Ramazani, në kampin jordanez të refugjatëve

05/06/2016 00:00

Refugjatët sirianë që jetojnë në kampin e Zaatarit po përgatiten për një tjetër muaj të shenjtë Ramazani, larg shtëpive të tyre.

Kampi, rreth 15 km nga kufiri i Jordanisë, është kthyer në strehën e rreth 85 mijë sirianëve. Shumë prej tyre janë zhvendosur aty në fillim të konfliktit, në vitin 2012. Refugjatët thonë se do të përpiqen për të krijuar një atmosferë të këndshme dhe shpirtërore gjatë muajit të Ramazanit.

Ghazwan Qaisi thotë se, edhe tregtarët janë përgatitur.

“Falë Zotit, ne jemi furnizuar me të gjitha ushqimet që myslimanët konsumojnë gjatë iftarit”, tha ai.

Mohamed Amari, i cili ka jetuar në kamp për 3 vite, tha se i ka munguar të kalojë Ramazanin në qytetin e tij Deraa.

“Ne kemi nevojë të krijojmë atmosferën e Ramazanit, duke kaluar kohë me familjen tonë në shtëpi. Ramazani mbledh njerëzit së bashku, është muaji i dashurisë, paqes dhe i bekimit”, tha Mohamed Amari.

Ndërsa refugjatët kanë mundësi shumë të pakta punësimi dhe kursimet po u mbarojnë, shumë prej tyre varen nga programi botëror i ndihmave ushqimore, i cili do t’u mundësojë gjithçka kanë nevojë besimtarët gjatë muajit të Ramazanit.

Që në kohën e shpërthimit të kryengritjes kundër Presidentit Bashar al-Assad, më shumë se 4.2 milionë njerëz janë larguar nga Siria, ndërsa rreth 13.5 milionë njerëz kanë nevojë për mbrojtje dhe ndihmë brenda vendit.

Top Channel