Kupa e Amerikës, zhgënjen Brazili. 0-0 me Ekuadorin

05/06/2016 00:00

Plot 3 ndeshje dhe vetëm një gol i shënuar, në orët e para të kësaj të diele në Kupën e Amerikës, një kompeticion që shquhet gjithmonë për spektaklin dhe mesataren e shënimit, por që ka çaluar disi këtë herë në SHBA.

I vetmi gol i mbrëmjes ishte ai i shënuar nga Paulo Gerrero, i cili me një goditje të bukur dënimi, pas krosimit nga e majta e sulmit, i dha fitoren Perusë ndaj Haitit 1-0.

Ka zhgënjyer mbi të gjithë Brazili i trajnerit Carlos Dunga, një prej favoritëve të turneut në edicionin jubilar të 100-vjetorit. Në stadiumin “Roz Boul” në Pasadina, formacioni i “Seleçao”-s e nisi pa ritëm Kupën e Amerikës, duke barazuar 0-0 me Ekuadorin në ndeshjen e vlefshme për grupin B.

“Seleçao” hodhi në fushë një formacion sulmues me Daniel Alves kapiten, por pa Neymarin në fushë mungoi edhe goli.

Për t’u shënuar në pjesën e dytë, një kaos i shkaktuar nga Elizon, që solli gol në portën e Brazilit, por “Seleçao” u shpëtua nga vërshëllima e arbitrit, i cili gjykoi që topi kishte dalë më parë jashtë.

Të shumta ishin protestat e futbollistëve të Ekuadorit, por në fund, dy kombëtaret morën nga një pikë. Në sfidën tjetër në Orlando, Kosta Rika barazoi pa gola me Paraguajin.

Top Channel