Data nuk dihet, por…Mustafa: Do t’i vizitoj komunat e veriut të Kosovës

05/06/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka premtuar këtë të dielë se do të vizitojë një ditë komunat në veri të vendit, por edhe nuk e bën të ditur datën se kur mund të ndodhë diçka e tillë, edhe pse sipas tij pritet së shpejti.

Reagimi i kreut të ekzekutivit kosovar ka ardhur pas interesimit të “KosovaPress” mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë në të gjithë Europën, të cilët faktikisht e kanë disi të vështirë për të mos thënë të pamundur, lëvizjen e lirë në Veri të Kosovës, në komunat e banuara kryesisht nga serbë.

“Datën nuk mund ta them, por shumë shpejt do të realizohet edhe vizita ime në tri komunat e veriut. Unë jam në kontakt me kryetarët e tyre, e kjo përbën përparësi që duhet të vlerësohet, sepse ata po respektojnë të gjitha rregullat e vendosura nga Kuvendi, Qeveria dhe Ministria e Financave, sa i përket buxhetit dhe rregullat e tjera. Do të merremi vesh me ata dhe do t’i vizitojmë edhe ato komuna, do të vizitojmë edhe projektet që po investojmë tani atje, sepse kemi shumë projekte që investohen në marrëveshje të drejtpërdrejtë ndërmjet ministrive përkatëse dhe komunave në veri të vendit, si dhe ato që financohen nga Fondi për Zhvillim, një fond i veçantë për investime atje”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket mosratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila lidhet drejtpërdrejt me liberalizimin e vizave, Mustafa tha se ajo nuk rrezikon procesin e liberalizimit të vizave, pasi ka kohë.

Top Channel