Kosovë, myftiu Tërnava uron besimtarët për Muajin e Ramazanit

05/06/2016 00:00

Me rastin e fillimit të Muajit të madhërishëm të Ramazanit, myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, duke iu dëshiruar agjërim të lehtë.

Në urimin e tij, Tërnava, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, ka lutur Allahun të pranojë agjërimin dhe adhurimet e tjera, “të cilat i bëjmë në shenjë madhërimi ndaj Tij”.

“Sinqeriteti dhe besnikëria janë vlera të pastra, të cilat rezultojnë nga agjërimi i muajit të Ramazanit, ngaqe këto janë detyrime që dalin nga Kur’ani, me qëllimin e vetëm që përmes agjërimit të arrijmë kënaqësinë dhe devotshmërinë shpirtërore, duke iu përkushtuar gjatë këtij muaji edhe më shumë besimit që e ndien besimtari në shpirtin dhe zemrën e tij”, ka thënë Tërnava në urimin e tij.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka thënë më tej se Ramazani, ky muaj i mëshirës po troket në dyert dhe vatrat tona, dhe prej së hënës begatitë e këtij muaji do të fillojnë t’i shijojnë edhe zemrat dhe shpirtrat e çdo besimtari.

“Të gjithë myslimanët e botës do të sakrifikojnë nga vetja për të agjëruar dhe Madhëruar Allahun, edhe më shumë se muajve të tjerë, duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më madhore të Ramazanit”, deklaron Tërnava.

“Më lejoni që në fund t’ua uroj këtë Muaj të shenjtë të Ramazanit të gjithë besimtarëve në Kosovë, brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe të gjithë vëllezërve dhe motrave në mërgatë, kudo që ata gjenden. Zoti na pranoftë agjërimin dhe adhurimet e tjera edhe gjatë këtij Muaji të shenjtë të Ramazanit”, theksoi myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në urimin e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Top Channel