Francë, rihapen muzeumet e Parisit pas tërheqjes së ujërave

05/06/2016 00:00

Salla e ekspozitave të “Grand Palais”, buzë lumit në Paris, është rihapur gjatë kësaj të diele pasi përmbytjet nisën të tërhiqeshin ngadalë nga kryeqyteti francez, edhe pse rreziqet mbeten ende aktive për rajone të tjera.

Muzeu i Luvrit, disa stacione trenash dhe rrugë në Paris mbeten ende të mbyllura, pas përmbytjeve më të rënda prej 3 dekadash të shkaktuara nga fryrja dhe dalja e lumit Sena nga shtrati. Restorantet në mol u përmbytën pjesërisht dhe tërësisht, ndërsa varkat e turistëve e kishin thuajse të pamundur të kalonin posht urave.

“Grand Palais”, i veshur me xhama në pjesën e sipërme, u ndërtua për ekspozitën e famshme të vitit 1900, “World’s Fair”, ndërsa aktualisht është vend organizimi për ekspozitën e artistit avantgard kinez, Huang Yong Ping, mes shumë të tjerëve, u hap sërish këtë të dielë pasi u mbyll të premten për shkak të rreziqeve të përmbytjes.

Në zona të tjera, ekipet e emergjencave civile janë duke nxjerrë ujin nga pikat kyçe të kryqëzimeve të autostradave në Paris dhe po evakuojnë makinat e bllokuara prej ditësh në një autostradë në jug të kryeqytetit francez.

Pas thuajse një jave me rreshje të jashtëzakonshme shiu në mbarë Europën, të paktën 18 persona kanë mbetur të vdekur, përfshi këtu edhe disa në Gjermani, Francë, Rumani dhe Belgjikë. Megjithatë, stuhi të tjera parashikohen në Francën lindore gjatë kësaj të diele, ndërsa të tjera reshje shiu në pjesë të tjera të shtetit, teksa aktualisht mbi 11 mijë shtëpi janë pa energji elektrike.

Niveli i lumit Senë kulmoi ditën e shtunë në Paris, ndërsa shërbimi kombëtar kundër përmbytjeve tha se do të mbetet mbi 4 metra lartësi nga normalja edhe përgjatë së dielës. Autoritetet kanë paralajmëruar se do të duhen të paktën 10 ditë, që lumi të rikthehet në gjendjen normale.

Top Channel