Sfidë ndaj SHBA-ve, Kina: Nuk kemi frikë nga telashet në detin e Kinës Jugore

05/06/2016 00:00

Kina injoroi presionin amerikan për të reduktuar aktivitetin e saj në detin e Kinës Jugore, duke rikonfirmuar sovranitetin kinez mbi pjesën më të madhe të territorit të diskutuar.

Në ditën e fundit të Samitit të Sigurisë në Singapor, admirali kinez Sun Jianguo tha se, Kina nuk do të trembet nga askush, përfshirë vendimin që pritet nga gjykata ndërkombëtare për pretendimet e saj mbi këtë rrugë detare thelbësore tregtare.

“Ne nuk krijojmë telashe, por ju siguroj se nuk kemi aspak frikë nga telashet. Kina nuk do të ketë asnjë pasojë dhe nuk do të lejojë asnjë shkelje të sovranitetit, interesave të saj të sigurisë, dhe as nuk do të qëndrojë indiferente ndaj disa vendeve që krijojnë kaos në detin e Kinës Jugore”, deklaroi admirali Sun.

Edhe pse tha se, Kina preferon shtrëngimin e duarve dhe jo të grushteve, admirali Sun nënvizoi se Kina nuk do të përulet para atyre që kanë ende mentalitetin e Luftës së Ftohtë. Pekini pretendon sovranitetin mbi thuasje të gjithë detin e Kinës Jugore, ku kanë pretendime Brunei, Malajzia, Filipinet, Taivani dhe Vietnami.

Ky territor detar është bërë pikë përplasjesh të forta diplomatike mes Kinës dhe SHBA-ve, sidomos pas fokusit mbi Azinë nën administratën e Presidentit Barack Obama. Dy superfuqitë kanë shkëmbyer akuza për militarizimin e zonës. Pekini ka ndërmarrë operacione masive ndërtimi ishujsh në këtë rajon, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake atje dhe stërvitjet e përbashkëta me rivalët e Kinës në zonë.

Top Channel