Itali, zgjedhje lokale në qendrat kryesore urbane. Test për Renzin

05/06/2016 00:00

Italianët u janë drejtuar kutive të votimit në disa prej qendrave më të mëdha të banimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. Gara që të bie më shumë në sy është ajo për Bashkinë e Romës, ku një lëvizje antiestablishment duket të jetë pretendente.

Edhe pse nuk shtrihen në të gjithë Italinë, këto janë zgjedhje që pritet të testojnë Partinë Demokratike në qeverisje të kryeministrit Matteo Renzi. Zgjdhjet lokale po mbahen veç Romës, edhe në Milano, Napoli dhe Bolonja.

Një skandal i gjerë korrupsioni dhe përkeqësimi i shërbimeve publike kanë ftohur dhe shpesh irrituar shumë prej votuesve të partive tradicionale në Romë, duke kthyer mbështetjen e tyre për lëvizjen populiste “5 yjet” që i ka rrënjët nga komuniteti.

E teksa kryeministri Matteo Renzi mund të dalë edhe më i dobët nga këto zgjedhje, të cilat kanë peshën e rreth 25% të popullsisë me të drejtë vote në Itali, analistët thonë se barometri i vërtetë i përkrahjes së tij do të jetë referendumi mbi ndryshimet kushtetuese, që është lançuar nga qeveria e tij dhe për të cilin pritet të votohet në vjeshtë.

Megjithatë, votimi i sotëm konsiderohet sa për statistikë, pasi gjasat janë që asnjë prej kandidatëve të mos sigurojë më shumë se 50% të votave në këtë raund të parë, ndaj dhe vëmendja do të fokusohet në balotazhin e 19 qershorit.

Gara për kryeqytetin është më e ndjeshmja. Një fitore për kandidaten e “5 yjeve”, Virginia Raggi, do të shënonte fitoren më të madhe administrative për lëvizjen e themeluar nga komediani i kthyer në udhëheqës politik, Beppe Grillo. Kjo do të shënonte gjithashtu edhe të parën herë që një femër do të drejtonte qytetin “e përjetshëm”.

Roma është drejtuar deri më sot nga një komisioner i emëruar nga qeveria, pasi kryebashkiaku i fundit humbi mbështetjen e këshillit të qytetit të dominuar nga Partia Demokratike, për shkak të debateve mbi shpenzimet e tij të pakufizuara.

Në Milano, gara ka vënë përballë dy menaxherë të qendrës. Konkretisht ish-menaxheri i “Expo 2015”, Giuseppe Sala, i cili garon në siglën e Partisë Demokratike, kundër ish-menaxherit të qytetit, Stefano Parisi, i cili gëzon mbështetjen e gjerë të qendrës së djathtë.

Top Channel